Vijojnë kontrollet e Policisë së Shtetit me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve në kryeqytet.
Në një njoftim për mediat autoritetet bëjnë me dije se gjatë javës që lamë pas, Policia Rrugore e Tiranës goditi 12 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljen e kryer.
38 persona janë arrestuar dhe proceduar për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, për mitdhënie dhe për shkelje të tjera.
176 leje drejtimi janë pezulluar për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë vendosur 6,945 masa administrative, me një mesatare 992 masa në ditë, konkretisht për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, për parakalime të gabuara, për përdorim të aparatit celular, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, për shpejtësi tej normave të lejuara, për shkelje të semaforit, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për xhama të zinj, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, për qëndrime të gabuara etj.
Janë bllokuar 23 automjete, për mungesë dokumentacioni apo me targa të huaja, të cilat i kanë kaluar për verifikime të mëtejshme Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.
Janë hequr 2 palë targa të modifikuara, që nuk i përkisnin mjeteve ose ishin të çregjistruara nga vendet e origjinës./Opinion.al