Alqi Bllako ka dorëzuar mandatin e deputetit pas kërkesës së SPAK ndaj Kuvendit për të autorizuar arrestimin e tij si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit.
Në reagimin e tij në “Facebook”, Bllako shkruan se një proces i drejtë do të provojë pafajësinë e tij. Më tej Bllako shkruan se ai do të përballet me drejtësinë si qytetar i lirë.
Në shkresën drejtuar Kuvendit, shkruhet se Bllako, në kohën kur ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprime të kundraligjshme me dashje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke shkaktuar një dëm prej 16.288.344 lekësh.
Po ashtu vihet në dukje, se Bllako, ka favorizuar kompaninë koncensionare “Integrated Technology Waste Treatment”, kundrejt pranimit të një përfitimi të parregullt, në shumën e 14.964.900.
Postimi i Bllakos:
Të nderuar miq! Natyrisht jam i tronditur nga kërkesa e SPAK-ut për ndalimin tim. Kam bindjen e thellë që një proces i paparagjykuar dhe i drejtë do ta provonte lehtësisht pafajësinë time; me bindjen e palëkundur se as kam shkelur kurrë ligjet e vendit e madje as kam thyer kurrë etikën e detyrës që kam ushtruar!
Sidoqoftë, nuk ka arsye të angazhohet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për këtë çështje dhe as nuk dua të përfitoj apo të më ofrohet një trajtim ndryshe nga çdo qytetar tjetër i vendit tonë.
Unë nuk kam mburojë mandatin e deputetit, por të vërtetën për pafajësinë time. Këtë do ta provoj në gjykatë dhe përpara opinionit publik.
Prandaj kam vendosur që ditën e nesërme t’i paraqes Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit tim si deputet i Republikës së Shqipërisë, dhe të përballem me akuzën pa asnjë privilegj. Si një qytetar i zakonshëm, si prind dhe familjar i përgjegjshëm; dhe mbi të gjitha si një shërbëtor publik, që padyshim e kupton se çdo angazhim vjen edhe me çmimin e përbaltjes politike apo edhe me detyrimin e sqarimit të së vërtetës para drejtësisë!
Ju jam thellësisht mirënjohës për mbështetjen! Mezi pres t’u provoj të vërtetën dhe të drejtën e pastër miqve, dhe padyshim armiqve!