Zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk ka thënë se sulmi i presidentit rus, Vladimir Putin, në Mariupol është personal. Sipas saj, ai nuk arriti të pushtonte qytetin në vitin 2014 në kohën kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina, dhe tani po hakmerret.
“Unë mendoj se ajo që Putini po bën në Mariupol është hakmarrje personale, pas dështimit të tij për të marrë nën kontroll qytetin në 2014. Është një ndëshkim kolektiv për refuzimin e tyre ndaj tutelës ruse,” i tha ajo gazetës franceze Libération.
Vereshchuk tha se përpjekjet për furnizime humanitare në Mariupol vazhdojnë të dështojnë.
“Nëse Putini do të donte, korridori humanitar i Mariupolit do të ishte tashmë i hapur. Rusët po shkatërrojnë spitalet, teatrin që strehoi njerëz xhaminë, kishat, asgjë nuk i ndalon.”
Të paktën 300,000 njerëz mendohet se janë ende të bllokuar brenda qytetit të rrethuar pa energji, pa ushqim dhe pa ujë mes bombardimeve intensive./Opinion.al