Uniformat e Policisë në Maqedoninë e Veriut do të jenë edhe në gjuhën shqipe, në komunat ku mbi 20 për qind e popullsisë është me shqiptarë. Në njoftimin e Qeverisë, të publikuar të martën, 15 Mars, thuhet se vendimi është miratuar në bazë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet në Dekretin që formalizon përdorimin e gjuhës shqipe edhe në uniformat e policisë.
Qeveria e RMV: Dekreti miratohet në bazë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ku sipas Nenit 8 paragrafi 3 është konstatuar se uniformat e policisë në Shkup dhe Komunat ku së paku 20% të qytetarëve flasin gjuhën zyrtare ndryshe nga gjuha maqedonase, shkruhen në gjuhën maqedone dhe alfabetin cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve në RMV dhe alfabetin e tyre.
Nga Qeveria shtojnë se Dekreti do të hyjë në fuqi në ditën e tetë nga dita e shpalljes në Gazetën Zyrtare, kurse do të fillojë të zbatohet gjatë një viti nga dita e hyrjes në fuqi.
“Një tjetër detyrë e kryer me sukses konform Kushtetutës dhe Ligjit që reflekton zbatimin e përpiktë të parimeve të barazisë si garanci e progresit të vendit tonë”, ka shkruar lideri i BDI-së Ali Ahmeti në Facebook.
“Edhe një detyrë tjetër u përmbush sot! Gjuha shqipe edhe në uniformat e policisë!”, ka shkruar po në Facebook, Zv/Kryeministri i Parë, Artan Grubi.
Dekretin e miratuar nga Qeveria me të cilin parashihet që uniformat policore të jenë edhe në gjuhën shqipe e ka komentuar edhe Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.
Ziadin Sela: Shpresoj që ky dekret të mos e ketë fatin e ligjit, sepse çdoherë sillet dekreti, animohet opinioni vetëm për një çështje të ligjit ndërkohë ngelen të pa implementuar për shembull; ku është implementimi i gjuhës shqipe në gjykatë? Natyrisht bëhet fjalë për PR marketing të ulët i një subjekti që këtë temë duhej ta kishte konsumuar prej se u bë pjesë e Qeverisë në vitin 2002.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në një intervistë për Kanal 5, duke komentuar këtë vendim të Qeverisë, tha se nuk është i befasuar, duke drejtuar gishtin në adresë të Kryeministrit Kovaçevski.
Hristijan Mickoski: Kovaçevski mund të bëjë edhe tatuazhe në ballë në dy, tri gjuhë, kjo nuk më habit. Do të isha i befasuar nëse sjellin fabrika të reja, vende të reja të punës, rritje ekonomike. Të mos kishte skandale. Sa autobusë me të rinj që ikin nga vendi sot kanë ndaluar që të mos dalin nga Strumica, Vinica, Tetova dhe Gostivari? Kjo më intereson, të kemi fabrika ku do të hapen 500-600 vende të reja pune.
Më i ashpër në reagimin e tij ka qenë lideri i së “Majtës” Dimitar Apasiev. Në Tuitter ai nuk ka kursyer ofendimet por edhe kërcënimet:
Nuk respektojnë as Kushtetutën e as ligjin! Uniforma dygjuhësore të policisë kanë vënë me dekret të Qeverisë!? LSDM-ja është e keqja më e madhe që ndonjëherë e ka gjetur Maqedoninë. Okupator të ishit, do të kishit më shumë sens për popullin. Do të kalbeni burgjeve kur do të ndryshohet pushteti.
Ligji për përdorimin e gjuhëve, në bazë të cilit gjuha shqipe përdoret gjerësisht në komunat me shumicë shqiptare, si dhe në institucionet shtetërore, është miratuar në Janar të vitit 2019.
Partitë shqiptare kanë kërkuar përdorimin e shqipes edhe në ushtri dhe kartëmonedha, por kjo është refuzuar nga Qeveria pas një mendimi të Komisionit të Venecias, që vlerëson se përdorimi i tyre bie ndesh me kushtetutën.