Ish-kryeministri Berisha në një konferencë të mbajtur sot në ambientet e selisë blu akuzoi Bashën se ka “plaçkitur” kartat e anëtarësisë, në kohën kur në 18-Dhjetor do të votohet përmes një referendumi në anëtarësi shkarkimi i Bashës. Sipas tij ky është një krim elektoral i padëgjuar ndonjëherë.
“Ju informoj se ish-kryetari Basha kryer akte që ngjiten në nivelin e krimit elektoral. Ka informuar anëtarësinë në votimin e fundit që të paraqiten në karta, i ka mbledhur kartat dhe nuk ia kthyer. Kjo është plaçkitje, akt që ngjitet në nivelin e krimit elektoral. I garantoj ata që të gjithë do të votojnë, në mënyrë transparente dhe para mediave. Nuk ka njeri që mund të plaçkitë kartat e anëtarësisë, s’e kisha dëgjuar ndonjëherë.
Pra, ne presim një rezultat të shkëlqyer më datën 18 sikundër ftoj çdo demokrat atë ditë të firmosë aktin madhor të pushtetit dhe vullnetit të partisë me vlerat e reja të lirisë dhe të dënojë me injorim anti-Kuvendin e Shoqatës Basha-Bardhi. Si një nga turpet më të mëdha të historisë së Evropës dhe njerëzimit në rrugën drejt demokracisë. Pres, anëtarët, drejtuesit dhe deputetët të mos bëhen bashkautorë në një akt të pashembullt anti-pluralizmit në një vendim anti-ligjor të ndërmarrë vetëm e vetëm për karrigen e peng Bashës, aktualisht, deputetit Basha”, tha Berisha./Opinion.al