Sot është dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara, e shënuar nga OKB-ja për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e këtij grupi. Në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me vështirësi që lidhen me mungesën e infrastrukturës së përshtatshme për ta, shkollimin dhe punësimin.
23 vjeçarja Fatjona Nikaj është studente e vitit të parë master, dega gjermanisht, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. E ulur në një karrike me rrota, për shkak të aftësive të saj të kufizuara, Fatjona prej vitesh lufton për shkollimin e saj. Ajo thotë se i është dashur të përballet me vështirësi të shumta, për shkak të mungesës në sistemin arsimor te infrastrukturës së përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara.
“Vështirësitë kanë filluar që në 9 vjeçare, sepse nuk më pranonin kështu siç isha për arsye të infrastrukturës, që nuk ishte e përshtatshme. Ndërsa, përsa i përket arsimit të lartë, normalisht ka vështirësi sepse nuk ka infrastrukturën e përshtatshme, por që u zgjidh me uljen e kursit tim poshtë, në kat të parë”.
Fatjona thotë se vështirësitë ekonomike, bullizmi, por edhe mungesa e infastrukturës së përshtatshme, janë pengesa, shpesh herë të pakapërcyeshme, për shkollimin e personave me aftësi të kufizuara.
“Unë nuk mund t’a pranoj që vetëm një fakultet, fakulteti i ekonomisë, të ketë infrastrukturën e përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara. Pse mos t’a kenë edhe fakultetet e tjera? Nuk zgjidhen gjërat me vënien e një rampe, apo uljen në kat të parë. Nëse ti i jep një studenti të drejtën e studimit, cilado që të jetë vështirësia e tij, bëje që të ndjehet student”.
Ashtu si Fatjona, edhe Saimir Beqiri e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në nje karrike me rrota. Por ai ka mundur të mposhtë bullizmin dhe të shndërrohet në njeri aktiv dhe mbështetës i personave me aftësi të kufizuara, siç është edhe ai vetë.
“Kam katër vite që jam drejtues i Qarkut të Shkodrës për personat me aftësi të kufizuar. Nisma ime ishte sepse shikova që qyteti im ishte shumë larg personave me aftësi të kufizuara, duke filluar nga infrastruktura, barazia e shume gjëra të tjera. Kaluan katër vite, kemi bërë shumë punë dhe mendoj se kemi shumë për të bërë”.
Shoqata e para-tetraplegjikëve e Qarkut të Shkodrës ka rreth 140 anëtarë që përpiqen të mbështesin njëri-tjetrin duke u bashkuar në veprimtari të ndryshme. Megjithatë, thotë Saimiri, për shkak të kushteve, ata nuk ndjehen të barabartë me personat e tjerë.
“Nuk kanë bazazi, që do të thotë se je i ’diskriminuar’ për gjëra elementare, që i përkasin të drejtave të tua, si rrugët, trampat, autobuzi, etj. Janë gjëra minimale. Ata janë taksapagues të rregullt, si gjithë të tjerët. Ndaj atyre duhet t’u ofrohen shërbimet. Sepse, kur ke infrastrukturën, atëherë merr shebimin vetë, kryen nevojat vetë. Pastaj vazhdojnë të tjerat. Por, pa u realizuar këto, nuk mund të kalojmë tek hapi tjetër”.
Vitet e fundit është përmirësuar dukshëm legjislacioni për personat me aftësi të kufizuara, por sipas Saimirit, hapat për zbatimin e tij janë shumë të ngadaltë dhe, jo rrallë, institucionet vendore nuk kanë kapacitetet e nevojshme për zbatimin e tij./ VOA