Një 22-vjeçar është gjobitur nga Policia e Korçës pasi kryente manovra të rrezikshme në rrugë dhe videon e kishte publikuar në rrjetet sociale.
Ngjarja është regjistruar në qytetin e Ersekës në një qendër të banuar. Sipas policisë i riu drejtonte mjetin mbi normat e lejuara të shpejtësisë dhe gjithashtu kryente manovra të rrezikshme.
22-vjeçari është ndëshkuar nga Policia me masën administrativë 20 mijë lekë, në bazë të nenit 139 “Shpejtësia”, të Kodit Rrugor.
“Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shfaqej një drejtues mjeti që drejtonte mjetin mbi normat e lejuara të shpejtësisë, kryente manovra të rrezikshme duke u kthyer në burim aksidenti dhe rrezik për përdoruesit e tjerë të rrugës, në qendër të banuar, në qytetin e Ersekës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kolonjë bënë të mundur identifikimin e tij, shoqërimin në Komisariat dhe bllokimin e automjetit.
Në përfundim të veprimeve, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore pranë DVP Korçë e kanë ndëshkuar drejtuesin e mjetit, shtetasin K. P., 22 vjeç, me masën administrative 20.000 lekë, në bazë të nenit 139 “Shpejtësia”, të Kodit Rrugor”, njofton policia.