Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga partia nëse ky i fundit do të ndërrmarrë veprime të cilat shfokusojnë aksionin politik të Partisë Demokratike dhe në qoftë se këto kulmojnë pastaj me veprime të tjera antistatutore që dëmtojnë interesat politike të Partisë Demokratike, si përpjekje për përçarje të PD.
Në një intervistë për ABC, Basha shprehet se statuti e përcakton qartë se si duhet të sillet partia me ata që përçajnë partinë dhe bëjnë organizime të tilla në një kohë kur vetëm pak muaj më parë janë zhvilluar edhe zgjedhjet për kryetarin.
“Sa i takon vijave të kuqe. Vija e kuqe nuk i caktoj unë, i cakton statuti. Është detyrimi i çdo demokrati dhe padiskutim është detyrimi i kryetarit të Partisë Demokratike ta zbatojë statutin në veçanti nëse dëmtohen interesat politike dhe elektorale të Parisë Demokratike.
Pra, në qoftë se kemi jo thjesht një retorikë përçarëse, denigruese ndaj demokratëve, veprime të cilat shfokusojnë aksionin politik të partisë Demokratike kundër regjimit, që nga komisionet hetimore te amendamentet kushtetuese, veprime të cilat i bien ndesh interesave elektorale, afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë Partisë Demokratike dhe në qoftë se këto kulmojnë pastaj me veprime të tjera antistatutore dhe që dëmtojnë interesat politike të Partisë Demokratike, përpjekje për përçarje të Partisë Demokratike dhe jo vetëm kaq, por për angazhimin në këtë proces të faktorëve të krimit të organizuar që Partia Demokratike dhe demokratët i kanë patur përballë me 25 prill sepse janë dhe mbeten ushtarët e Edi Ramës të cilëve Edi Rama u ka shkelur syrin për t’i futur nën flamurin e Sali Berishës në një betejë për interesa personale.
Në këtë pikë padiskutim që nuk është më çështje a do të veprohet apo jo statuti, është detyrim politik, është përgjegjësi dhe detyrim politik i çdo demokrati e jo më i kryetarit të partisë që statuti të zbatohet. E kundërta do të ishte papërgjegjshmëri me fatin dhe sakrificat e demokratëve”, tha Basha.
Basha e akuzoi Berishën dhe për bashkëpunim me anëtarë të krimit të organizuar në Shqipëri, të cilët sipas tij i bashkon një hall i përbashkët: Shpallja “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Ne nuk e dimë dhe nuk do ta marrim vesh se çfarë ka kasaforta, por ne dimë se faktorë të interesuar në përçarjen e Partisë Demokratike nuk e kanë humbur shansin, nuk e kanë humbur shansin faktorët e krimit të organizuar, Suel Çelët, Aqif Rakipët, Tom Doshët, njerëz që me 25 prill kanë qenë, jo për herë të parë por gjatë gjithë kësaj dekade, nën flamurin e Edi Ramës përballë demokratëve”, tha Basha.