Ish-kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ishte në një takim me të rinjtë në Tiranë. Ai kishte mbledhur në “Foltoren” e radhës të rinjtë demokratë, takim i cili u zhvillua në amfiteatrin e Akademisë së Arteve, në kryeqytet.
Në “Foltoren” e Berishës ishte edhe Sekretari i Mardhënieve me Jashtë në FRPD, Besart Xhaferri, i cili gjatë fjalës së tij i bëri edhe një paralajmërim ish-kreut të PD.
Xhaferri iu drejtua Berishës duke i thënë se nëse ai i shkel premtimet e foltores do të shpallet “non grata” nga të rinjtë.
“Doktor, ju keni plot faje dhe keni bërë “mea culpa”, nuk e di sa na vlejnë, por ajo që na vlen është se çdo pikë që ke diskutuar në “Foltore” të respektohet. Pse e them këtë? Sepse nuk duhet të keqpërdorohemi përsëri, sepse nëse i shkel do të rrezikosh të marrësh “non grata”-ën e në të rinjve, që duam të ndërtojmë të ardhmen në Shqipëri”-tha ai.
Kujtojmë se ish-kryeministri Sali Berisha u shpallur “non grata” nga SHBA dhe kjo ishte edhe arsyeja që kreu i PD, Lulzim Basha, e përjashtoi nga grupi i partisë./Opinion.al