Biznesmeni Nazmi Çangu ka treguar për mediat grabitjen e një nate më parë kur persona të armatosur kanë hyrë në banesën e tij në Nikël dhe pasi e kanë rrahur dhe lidhur, kanë marrë objekte me vlerë dhe para që shkojnë në 100 mijë euro.
Sikurse ka treguar ai, kanë qenë 10 persona, të maskuar, ndërsa njëri prej tyre mbante një bluzë me mbishkrimin “Policia”. Çangu ka treguar se e kanë lidhur nga këmbët me shirita të zinj, ndërsa me gërshërë i kanë prerë edhe gishtin, pasi kërkonin çelësat e kasafortës.
“Nuk e mbaj mend orën sa ka qenë, ishim për një darkë me familjen dhe kemi ardhë, rreth orës 11 të darkës, rreth orës 2 më kanë ardhur 2 vetë në krevat, isha në gjumë dhe më tha policia e shtetit, i hapa sytë dhe kur mu ul njëri kishte një xhup të zi si një xhup polici, dhe tjetri kishte një triko dhe i thashë : Çfarë policie jeni ju, pastaj më vunë automatikun, më gjuajtën sa deshën, u përlesha me dy, më prenë gishtin dhe më kërkuan celësin e kasafortës, kishin mbyllur brenda dhe kalamajt. Më goditën në shqelm fytyrën, i kërkova ujë dhe më dhanë sepse mu tha fyti nga gjaku. Kërkuan sërish celsin e kasafortës. Njëri hipi te rafti, gjeti një qese që kishte te 8 mijë euro, aty mori edhe celësat, ku ishin edhe celësat e kasafortës. Kishte dhe një kacavidë, e hapën dhe morën ca deshën. Kanë qenë 10 vetë. Më thanë jemi 10 vetë, të kemi rrethuar shtëpinë. Edhe familjarët i kanë keqtrajtuar, të gjithë”, tha ai./Opinion.al