Udhëheqësi i lartë i talebanëve, Amir Khan Muttaqi, ka nisur negociatat me udhëheqjen politike të Kabulit, përfshirë Abdullah Abdullahun, i cili dikur kryesonte këshillin negociator të vendit dhe ish-presidentin, Hamid Karzai, për formimin e një qeverie të re gjithëpërfshirëse.
Muttaqi ishte ministër i arsimit të lartë kur talebanët sunduan për herë të fundit dhe mësohet se ka nisur kontaktet me udhëheqësit politikë afganë edhe para se Presidenti Afgan Ashraf Ghani të largohej fshehurazi nga Pallati Presidencial.
Mësohet se bisedimet po zhvillohen për të krijuar një qeveri të re, ku në të do të bëjnë pjesë dhe udhëheqës që nuk vijnë nga radhët e talebanëve dhe do të njihet si një qeveri gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë sipas mediave ndërkombëtare bëhet me dije se talebanët kanë shpallur një amnisti të përgjithshme për të gjithë zyrtarët qeveritarë, duke u kërkuar atyre të kthehen në punë me “besim të plotë”.
“Është shpallur një amnisti e përgjithshme për të gjithë, kështu që ju duhet të filloni jetën tuaj rutinë me besim të plotë,” tha AFP, duke cituar një deklaratë talebane./Opinion.al