Gjykata e Lartë ka regjistruar dosjen ne ngarkim të ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtuesit të policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Në këtë gjykatë, Tahiri ka kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm të 26 qershorit, që e ktheu dosjen në ngarkim të tij për rigjykim në Shkallën e Parë.
Tahiri dhe Çela i kërkojnë Gjykatës së Lartë të prishë vendimin e Apelit dhe të pushojë çështjen ndaj tyre.
Rekursi i Tahirit dhe Çelës në Gjykatën e Lartë erdhi në ditën e fundit të afatit 45 ditor të parashikuar në ligj për kundërshtim të vendimeve të Apelit. Pas vendimit të Apelit, dosja pritej të shkonte për rigjykim nga zero në Shkallën e Parë.
Kujtojmë se Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda rrëzoi akuzat për trafik droge e grup kriminal ndaj Tahirit dhe e fajësoi ish-ministrin për “shpërdorim të detyrës”. Por, Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë./Opinion.al