Në Shqipëri dhe në Mal të Zi, pijet alkoolike kushtojnë më shtrenjtë se shtetet e tjera të rajonit, madje janë edhe mbi mesataren e bashkimit Europian.
Eurostat ka publikuar hartën e indeksit të çmimeve për pijet alkoolike. Në Shqipëri, ky indeks është 107.8%, që nënkupton se pijet alkoolike kushtojnë rreth 8% më shtrenjtë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Në Mal të Zi kushtojnë 11.3% më shumë sesa mesatarja e BE-së.
Më lirë alkooli është në Bosnjë dhe Hercegovinë, sa 75.4% e mesatares së BE-së, që është në fakt dhe shteti në Europë ku ky produkt kushton më lirë.
Sipas Eurostat, në vitin 2019, çmimi i pijeve alkoolike në të gjithë Bashkimin Evropian (BE) ishte më shumë se dy herë më i lartë në Shtetin Anëtar më të shtrenjtë sesa në atë më të lirë.
Kur nivelet e çmimeve në vende krahasohen me indeksin mesatar të nivelit të çmimit të BE prej 100, rezultatet tregojnë se në vitin 2019, çmimi i pijeve alkoolike (pije alkoolike, verë dhe birrë) ishte më i larti në Finlandë (me një indeks të nivelit të çmimit 191), e ndjekur nga Irlanda (182) dhe Suedia (156).
Në të kundërt, nivelet e çmimeve për pije alkoolike në 2019 ishin më të ulëtat në Rumani (me një indeks të nivelit të çmimit 76), pasuar nga Bullgaria (79) dhe Hungaria (80).
Konsumi i alkoolit në vend
Sipas një publikimi të mëparshëm të INSTAT, diferencat gjinore në konsumin e alkoolit tregojnë se burrat janë ata që me rritjen e moshës kanë një tendencë për të konsumuar më shumë alkool në raport me gratë.
73,4 % e të intervistuarve gra dhe 38,3 % e burrave raportojnë se nuk pijnë alkool, ndërsa te gratë vetëm 23,0 % e tyre deklarojnë se pijnë alkool 1 deri në 3 ditë në muaj ose më pak, kundrejt burrave me 31,8 %.
Sipas INSTAT, abuzimi me alkoolin është një problem serioz i cili në vetvete mbart një rrezik të madh në shëndetin e popullatës, si dhe shumë probleme familjare, sociale dhe të punësimit./ Monitor