Presidenti i Republikës Ilir Meta, ashtu siç kishte paralajmëruar, ka dekretuar me shpallje ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas marrëveshjes së “5 Qershorit”
Në njoftimin e Presidencës, thuhet se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë i vetmi produkt i marrëveshjes konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit të dakordësuara në Këshillin Politik, që mundëson vijimin e sigurtë të rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe që kishin konsensusin dhe gjithëpërfshirjen e të gjithë aktorëve politikë në vend.
Presidenti Meta, rithekson se, dialogu politik, gjithëpërfshirës, transparent dhe i sinqertë ndërmjet forcave politike për të gjitha çështjet që prekin zgjedhjet është e vetmja rrugë që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe e bën Reformën Zgjedhore në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR, siç ka kërkuar Këshilli Europian në 15 kushtet e vendosura për hapjen e negociatave.
“Për muaj me rradhë Presidenti i Republikës ka përsëritur thirrjen që, çdo ndryshim në lidhje me ligje të rëndësishme, duhet të bëhen vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.
Presidenti Meta, gjen rastin të falenderojë të gjitha ato forca politike që me angazhimin e tyre të sinqertë dhe vullnetin e treguar në Këshillin Politik, mundësuan arritjen e këtij rezultati në 5 qershor që u kodifikua nga Parlamenti i Shqipërisë në datën 23 korrik përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat dekretohen sot.
Presidenti Meta do të jetë si gjithmone në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave të patjetërsueshme, lirive dhr vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre përballë çdo akti të ndryshimeve të njëanshme, të dhunshme dhe me urgjencë të pajustifikueshme, si ai i Kushtetutës, që asgjesojnë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë!”, thotë Presidenca në njoftimin për mediat. /Opinion.al