Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka paralajmëruar kryetarët e partive politike për kandidatët që do të garojnë nën siglën e partive të tyre.
“Paralajmërim: Teksa partitë përgatiten për zgjedhje, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre. Ju lutem, verifikoni kandidatët tuaj, mos i fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin”,-shkruan ambasadorja në Twitter.
Paraditen e sotme diplomatja amerikane shkoi në Presidencë në një takim me kreun e shtetit Ilir Meta, për të diskutuar pikërisht mbi situatën e krijuar, për shkak se kampet politike janë të ndara për ndërhyrjet në Kushtetutë, sa i përket procesit zgjedhor, që kërkohen nga pakica parlamentare. Takimi i diplomates amerikane me Presidentin Meta zgjati mbi një orë.
Ditën e djeshme Yuri Kim zhvilloi një takim me kryeministrin Rama, bisedë që erdhi disa orë para se shefi i mazhorancës të firmoste marrëveshjen me opozitën parlamentare, ku mori dakordësi si për miratimin e kodit të ri elektoral që ka dakordësuar me PD dhe LSI, ashtu dhe për nismën kushtetuese të kërkuar nga pakica në Kuvend./ Opinion.al