Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pak ditë më parë ta konsiderojë të përfunduar mandatin e anëtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. Për pasojë ai humbet edhe funksionin e tij si kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilin e ushtronte automatikisht si anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë.
Pas këtij vendimi, Ardian Dvorani në një intervistë televizive sqaroi pozicionin e tij.
Gjyqtari tha se është tepër e vështirë t’i gjesh një epitet vendimit të KLGJ. Ai nuk e fshehu se u surprizua nga vendimi, teksa shtoi se nuk ka betejë personale me askënd.
Dvorani shtoi se KLGJ nuk mund të vihet në lëvizje nga kërkesat që vijnë nga jashtë sistemit, pasi ky ka qenë edhe thelbi i reformës në Drejtësi. Në lidhje me ankimimin e mundshëm të vendimmarrjes nga KLGJ, ai shtoi se do t’i konsiderojë të gjitha rrethanat dhe se nuk tërhiqet nga parimet.
“Vendimi i KLGJ ishte gafë. Nuk mund ti vë një emër tjetër, unë respektoj institucionet. Por unë po flas për një vendim konkret dhe e konsideroj gafë”, thekson Dvorani.
Ai foli dhe për skenarin se si mund të qëndrojë në përbërjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
“Në momentin që anëtari i Gjykatës së Lartë nuk ushtron funksionet në gjykata, nuk është më kryetar i KED-së sepse janë të lidhura. Por nëse anëtari i Gjykatës së Lartë vendos apo zgjedh të vijojë karrierrën në Gjykatë Apeli vazhdon të jetë pjesë e KED-së për atë vit, por jo në cilësinë e kryetarit. Nëse vazhdoj karrierën gjyqësore. Në ditë e djeshme KLGJ ka barazuar procedurën e plotësimin e vendeve vakante në KED me ato të të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo është gabim i rëndë”- tha Dvorani. / Opinion.al