Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, pas heqjes së reciprocitetit me Serbinë.
Osmani, e cila vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partia që udhëheqë me Qeverinë e re të Kosovës, tha se reciprociteti nuk është “pengesë”, por barazi. Ajo theksoi se me këtë vendim, Kosova ka hequr dorë “nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me heqjen e reciprocitetit, Kosova ka hequr pengesat për procesin e dialogut, por theksoi se tani i mbetet Serbisë, që të heqë pengesat, duke kërkuar ndaljen e fushatës së çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Reciprociteti ishte kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që kërkonin të hiqej kjo masë që të riniste dialogu.
Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, u panë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve.