Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes palëve për Reformën Zgjedhore.
OSBE mirëpret marrëveshjen ndërpartike për reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ata shkruajnë se ky është një proces thelbësor të cilin e kanë mbështetur prej vitesh.
“Është për t’u lavdëruar fakti që të gjitha partitë politike u bënë pjesë e këtij procesi dhe që propozimet e tyre konstruktive si edhe aftësia e tyre për të bërë kompromis e për të pranuar pikëpamje të ndryshme kontribuan në një hap të rëndësishëm përpara për demokracinë në Shqipëri, në dobi të qytetarëve shqiptarë.
Përgëzojmë anëtarët e Këshillit Politik të reformës zgjedhore për përkushtimin e tyre të vendosur për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Ne shpresojmë që të gjitha ndryshimet e dakordësuara të miratohen në Kuvend sa më shpejt që të jetë e mundur.
Prezenca mbetet e gatshme të vijojë të mbështetë autoritetet shqiptare gjatë zbatimit të reformës.” – shkruhet të reagimin e prezencës së OSBE-së.
Kujtojmë se palët politike arritën sot në një marrëveshje për Reformën Zgjedhore duke u dakorduar për të aplikuar identifikimin biometrik për 100% të votuesve në zgjedhjet e ardhshme ndërsa administrimi zgjedhor do të mbetet ashtu siç është. / Opinion.al