Një sasi e konsiderueshme kanabisi është sekuestruar nga policia duke ndaluar trafikimin e saj.
Operacioni u krye nga Drejtoria e Policisë Kufitare Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Kurbin.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Godull”, Kurbin, në një ambient në pronësi të shtetasit S. Z., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 613 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa, si dhe në një ambient tjetër, po në pronësi të këtij shtetasi, gjetën dhe një gomone.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. Z., është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu dhe 13 fishekë.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin do trafikonin lëndën narkotike.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan S. Z., 60 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Kurbin dhe R. S., 28 vjeç, banues në fshatin Thumanë;
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”. /Opinion.al