Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se diskutimi se Presidenti Meta mund të shpërndajë parlamentin pas 15 marsit është “qesharak dhe nuk duhet marrë në konsideratë”
Në një dalje për mediat Balla tha se nesër Kuvendi do të marrë në konsideratë dekretin e Presidentit që ktheu ligjin për ndryshimin procedurës së betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Balla tha se do të ndiqet procedura institucionale për në shqyrtimin e dekretit.
Ai tha gjithashtu se shpreson se Presidenti Meta të mos e ketë “inatin” me iniciuesin e kësaj nisme ligjore, Adno Shameti, pasi ai është nga Skrapari.
Një ditë më parë Shameti u shpreh në një studio televizive se Kuvendi do ta rrëzojë dekretin e Presidentit.
Balla tha gjithashtu se Presidenti nuk e shkarkon dot Kuvendin por e kundërta mund të ndodhë.
“Diskutohet me pathos në lloj lloj banaku, dyshemeje, rruge, bulevardi se njëri që fryhet e do dali e do shpërndaje Kuvendin e këto historira. Republika e Shqipërisë është parlamentare, e kulluar parlamentare dhe presidenti Ilir Meta i zgjedhur në atë detyrë nga kuvendi, e di fare mirë këtë mungesë të së drejtës së presidentit për të pasur këtë lloj qasje në marrëdhenie me Kuvendin, Kuvendi e shkarkon presidentin dhe procesi certifikohet nga gjykata Kushtetuese, presdenti i vjen anash Kuvendit, në kuptimin e së drejtës kushtetuese për të shpërndarë Kuvendin. Presidenti duhet të kuptojë qartë se është në hetim nga kuvendi për shkejet e njëpasnjëshme kushtetuese, e nxis komisionin hetimor që të kemi mundësi sa më shpejt që të lexojmë para shqiptarëve. Uroj që gjithë ky agravim të mos vijë nga fakti që Meta e konsideron veten si pjesë të KÇK”, tha Balla. /Opinion.al