Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përshëndetur vendimin e Këshillit të Europës për të cuar në Komisionin e Venecias paketën “anti-shpifje”.
“Përshëndes vendimin e marrë nga Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta çuar paketën e ashtuquajtur “anti-shpifje” në Komisionin e Venecias. Ky akt provon se dy projekligjet e kësaj pakete cënojnë drejtpërdrejtë të drejtën e fjalës dhe drejtën e informimit duke dëmtuar rëndë lirinë e mediave në Shqipëri”, shkruan Basha në Facebook.
Kreu i demokratëve e cilëson të turpshëm votimin e Komisionit parlamentar për të rrëzuar dekretin e Presidentit Meta duke mos marrë parasysh vërejtjet e tij për këtë projektligj.
Sipas Bashës, kalimi i paketës “anti-shpifje” i intereson kryeministrit Rama për të mbajtur pushtetin “me çdo kusht, përfshirë këtu përpjekjen për t’ua mbyllur gojën mediave”. /Opinion.al