Presidenti i Republikës, Meta përcolli urimet më të mira besimtarëve të krishterë për Festën e shenjtë të Krishtlindjes nga Katedralja Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Kreu i shtetit u prit nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkop Anastas Janullatos dhe nga klerikët të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
“Ishte kënaqësi e veçantë për të uruar Fortlumturinë e Tij, kreun e Kishës sonë Ortodokse për këtë ditë shprese të bekuar. Njëkohësisht për të uruar të gjithë besimtarët ortodoksë, por edhe të krishterë shqiptarë.
Le të jetë kjo një ditë shprese, një ditë solidariteti, për të reflektuar edhe më shumë, për të kthyer sytë dhe për të shtrirë dorën ndaj atyre që kanë nevojë për më shumë ndihmë, mbështetje dhe përfshirje në shoqërinë tonë, që kanë nevojë për më shumë ngrohtësi dhe dashuri, në mënyrë që të kemi një Shqipëri më të qëndrueshme, më njerëzore, më dinjitoze dhe më të begatë!”, tha Meta në një deklaratë për mediat.
Gjithashtu Presidenti Meta u uroi festën e shenjtë të Krishtlindjeve Kryetarit të VUSH-it, Pastor Ylli H. Doçi si dhe drejtuesve e besimtarëve ungjillorë shqiptarë, duke vizituar gjithashtu edhe selinë e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë. /Opinion.al