Kryeministri Edi Rama ka renditur se cilat janë 7 prioritet e qeverisë deri në fund të këtij mandati. Sipas Ramës prioriteti i parë është përshkallëzimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit.
Si prioritet të dytë të qeverisë ai ka renditur mbylljen e të gjithë sporteleve nga 1 Janari i vitit të ardhshëm dhe deri në fund të 2020 duke i kthyer këto shërbime për qytetarët online.
“Së paku aplikimet. Në 1 Janar do të jenë rreth 40 shërbime që do të jepen online. Deri në Qershor do të shkojmë në 67% dhe deri në fund të vitit të shkojmë në thuajse 100%,”-u shpreh Rama.
Më pas ai ka vijuar renditjen e prioriteteve duke u ndalur tek energjia dhe infrastruktura.
“Kemi një paketë të tërë ndryshimesh dhe investimesh që do të fillojë të lançohet javët e ardhshme”.
Si prioritet të radhës qeverisë Kryeministri ka renditur regjimin e ri në vijën bregdetare.
“Regjimi mbi vijën bregdetare do të ndryshojë plotësisht. Prioriteti tjetër është mbyllja e procesit të legalizimeve për shtëpitë, jo për bizneset. Dhe legalizimi përfundimtar i tokës bujqësore, dhënia fund e torturës të njerëzve në Malësinë e Madhe, Tropojë, Kukës, Tepelenë, në Qarkun e Gjirokastrës, në Qarkun e Vlorës që nuk e njohin 7501, nuk e duan dhe s’kanë konflikte,”-ka thënë Rama.
Prioriteti i radhës sipas Kryeministrit do të jetë i lidhur me domosdoshmërinë për të pasur një produkt final konkret është transformimi i infrastrukturës së Universitetit.
“Kampusi duhet të jetë kantier. Akademia e Sigurisë së Policisë së Shtetit duhet të jetë kantier.”
Prioriteti i fundit i qeverisë do të ketë të bëjë me Schengenin rajonal.
“Kush është kundër nuk kupton asnjë gjë. Schengeni rajonal është një vizion dhe një këmbëngulje nga ana ime qysh në ditën e parë të Procesit të Berlinit. Ka qenë i penguar deri përpara pak muajsh nga Presidenti i Serbisë me të cilin unë ka bërë debate për këtë. Nuk mund të bëjmë dot një marrëveshje rajonale mbi tregtinë nëse nuk bëjmë marrëveshje rajonale mbi lëvizjen e lirë të njerëzve. Sepse marrëveshje e lëvizjes së lirë të njerëzve do të thotë që kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës të hapet. Kjo e forcon Kosovën dhe Shqipërinë, nuk e dobëson. Politika e mbylljes është politikë vetëvrasëse për Kosovën”, -përfundoi Kryeministri./Opinion.al/