Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi ka folur në lidhje për përplasjet institucionale për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë një interviste televizive, Topi është shprehur se situata politike është e rëndë, duke theksuar se kur ai ishte president, debatet kanë marrë zgjidhje në Gjykatën Kushtetuese.
Po ashtu, ish-presidenti foli dhe në lidhje me takimin e zhvilluar pak ditë më parë me presidentin Ilir Meta. Ai u shpreh se në këtë takim u njoh në detaje në lidhje me ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa shtoi, se i takon kreut të vendit të marrë të gjitha iniciativat e nevojshme.
Ish-presidenti komentoi dhe paralajmërimet e Metës për referendum; “Meta kishte të drejtë kur i referohet referendumeve të bëra në Zvicër. Nuk është problemi për të gjykuar është mirë apo keq referendumi, por për të shkuar në referendum, problemi është se referendumi është i rëndësishëm, por a ka kulturë politikë, vullnet politik? Supozojmë se morëm 50 firma, por në ç’filtra do të kalojë?”
Pjesë nga intervista
Situata është e rëndë, nuk dua të ndaj pesimizëm. Kryeministri nuk është thjesht njeriu që drejton qeverinë, kemi situatë ku kryeministri zotëron edhe fuqinë e parlamentit. Sot kemi një kryeministër, kemi apo nuk kemi parlament nga pikëpamja e fuqisë politike, them se jo. Nuk e ka këtu fuqi, kemi një vakum të fortë në parlament, braktisja nga opozita. Kemi institucionin e Presidentit, që realisht është i dobët, në marrëdhënien mazhorancë-presidencë, si institucion. Shoh sot një kryeministër totalisht të munguar, është mënyra e sjelljes që tij që në ngjarje të rëndësishme tërhiqet dhe del pastaj, është mënyra e tij. Ai është një nga arkitektët të shkatërrimit të Kushtetutës dhe e kthyen Shqipërinë në republikë të një kryeministri. Një përgjegjësi në tentativë e Ramës sepse nuk shoh asnjë lloj prononcimi për të ndryshuar situatën, fakti që ai nuk flet, në kohën kur institucionet kanë nevojë për opozitën, opozita largohet. Askënd nuk bind braktisja e kryeqytetit. Këto e bëjnë që Presidenti Meta të jetë i dukshëm, ai bën opozitën për parimet kushtetuese të institucionit që mbulon. Besoj që referendumi është një elementët më pozitivë të demokracisë. Z.Meta kishte të drejtë kur i referohet referendumeve të bëra në Zvicër. Nuk është problemi për të gjykuar është mirë apo keq referendumi, por për të shkuar në referendum, problemi është se referendumi është i rëndësishëm, por a ka kulturë politikë, vullnet politik? Supozojmë se morëm 50 firma, por në ç’filtra do të kalojë? Ne i kemi parë pengesat që kanë qenë në të kaluarën, tha ish-presidenti.Opinion.al