Durrësi u trondit dje nga atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj dhe dy personave të tjerë që udhëtonin në makinën e tij, shoferi Andi Maloku dhe miku tij, Aleksandër Laho.
Lidhur më këtë ngjarje, gazetari Spartak Koka ka zbuluar të tjera detaje. Koka ka publikuar fotot e makinës së autorëve të atentatit të djeshëm ndaj prokurorit pranë “mbikalimit të Shkozetit”.
Gazetari ka thënë se në atentat kanë marrë pjesë tre persona, dy që kanë qëlluar me kallashnikov nga dritaret e makinës tip “Benz”, ngjyrë gri me targa AA342 LM dhe drejtuesi i mjetit. Ai është shprehur se makina dhe targat e saj rezultojnë se janë të vjedhura në qytete të ndryshme të vendit.
“Ngjarja ndodhu në orën 16:20 tek mbikalimi i Shkozetit kur prokurori Arjan Ndoj po udhëtonte me shoferin Andi Maloku dhe mikun e tij Aleksandër Laho. Pa u futur në mbikalim janë qëlluar nga një mjet tjetër tip ‘Benz’. Tre persona dyshohet se kanë qenë në mjetin e autorëve, shoferi dhe dy të tjerë që mbanin armët në duar dhe nga dritaret është qëlluar. Megjithëse ai ka qenë qëllimi makina e autorëve nuk është djegur sepse ka dalë një person, banor i zonës që iu ka folur dhe iu ka thënë ‘se çfarë po bëjnë’. Ky është automjeti i përdorur nga autorët. Targa AA342 LM është një targë e vjedhur. Dhe mjeti i vjedhur në një qytet të Shqipërisë dhe targat e vjedhura në një qytet tjetër. Kjo tregon se atentati ka qenë i mirëpërgatitur dhe i mirëorganizuar”, tha gazetari Koka.
Koka tha se deri më tani janë gjetur 9 gëzhoja në automjetin e braktisur nga autorët, dy automatikë kallashnikov dhe një pistoletë 9 mm, 2 maska dhe 2 shishe benzinë.
Gazetari deklaron se autorët janë ndihmuar nga dy persona të tjerë për t’u larguar nga fshati Shkafanë.
Ai thekosn se zona ku është gjetu i braktisur automjeti, përdoret kryesisht nga autorë të krimeve në Durrës por edhe Tiranë për të djegur makinat./ Opinion.al