Presidenti Ilir Meta deklaroi përpara Komisionit Hetimor se nuk do t’i shtyjë zgjedhjet e 13 tetorit duke shtuar se është në pritje që të botohet në fletoren zyrtare. Teksa iu përgjigj pyetjes së deputetit të PS-së Adnor Shameti, Meta tha se edhe presidentët para tij kanë vepruar në të njëjtën mënyrë.
Adnor Shameti: Presidenti duhet të thërriste palët dhe të dëgjonte vullnetin e tyre. Kjo nuk ka ndodhur. A i keni tejkaluar afatet ligjore duke caktuar 13 tetorin si datë për zgjedhjet lokale? Të gjitha elementët jo ligjore të parashikuar në dekretin tuaj të jenë aktuale edhe sot? A do ta shfuqizoni ju sërish datën për zgjedhjen lokale në 13 tetor?
Ilir Meta: Unë mendoj që të gjithë presidentët kanë vepruar në të njëjtën mënyrë. Kanë dekretuar një datë re për ta zhdekretuar më vonë. Kjo bëhet për arsye madhore. Së dyti, kjo është bërë në interesin e paqes sociale dhe demokracisë. Dua t’iu bëj të qartë se e gjithë kjo veprimtari ka synuar dhe synon çeljen e negociatave për Shqipërinë. Unë i di shumë mirë të gjitha detyrimet që vendin ynë ka plotësuar ose duhet të plotësojë. Unë kam bërë veprimet më të mira. Kjo është një pyetje shumë interesante. Unë po pres që ju të ndikoni te ministrja e drejtësisë që të botohet në fletoren zyrtare vendimi i ri për datën e zgjedhjeve
Sipas Ilir Metës, gjykimi më i mirë që mund t’i bëhet dekreteve të tij, është gjykimi me votë. Madje ai sërish theksoi se me dekretin e 13 tetorit, mund të mbahen tre zgjedhjeve në një ditë.
I pyetur nga deputeti i opozitës së re, Adriatik Alimadhi, njëherësh kreu i Ballit Kombëtar, nëse do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për dekretet e tij, atë të anulimit të 30 qershorit, dhe dekretimin e 13 tetorit, Meta tha se nuk ka përse ta ndërmarrë këtë veprim pasi është shumë i qartë për firmën që ka vendosur në dekret.
Meta tha se shpresat për të dalë nga kjo krizë e thellë politike është ende 13 tetori, edhe pse në fakt, të gjitha afatet ligjore për regjistrimin e partive në zgjedhje dhe përgatitjen e procesit zgjedhor nga KQZ, kanë përfunduar.
Meta hodhi edhe disa kritika ndaj ambasadorëve në Shqipëri, kur tha se të gjithë flasin në emër të popullit shqiptar, por se institucioni më i përgjegjshëm sipas tij që ka menduar për interesin kombëtar, është Presidenca.
“Dekretet janë në fuqi. Raporti i OSBE/ODIHR e bën të qartë që dekreti i 13 tetorit duhej të ishte botuar në fletoen zyrtare, dhe kjo nuk e bën që mos të jetë në fuqi. Dekreti i parë është botuar edhe në fletoren zyrtare. Unë nuk jam i paqartë për dekretet e mia, kush është i paqartë le të ndjekë rrugën e tij. Nuk kam ardhur këtu për të kërkuar ndihmë, por për të dhënë shpjegime për çdo paqartësi që mund të ketë për aktet e mia. Lidhur me zgjidhjen mendoj se zgjidhja minimale për të mos minuar procesin e çeljes së negociatave ka qenë, ndoshta ende mbetet por koha është kufizuar nga mungesa e reflektimit, zgjedhjet më 13 tetor për të mbyllur këtë kapitull. Vlerësimi im shumë i ndershëm meqë të gjitha flasim në emër të popull që nga opozita që ka dalë në rrugë që nga opozita që mendon se e përfaqëson në parlament që nga mazhoranca që nga ambasadorët, i vetmi institucion që nuk mban asnjë përgjegjësi është presidenti i republikës, se i ka bërë të gjitha veprimet e tij, të cilat do ta kishin bërë të mundur zgjidhjen e krizës që në momentin e parë kur u shfaq. Zgjidhja është mos të flasim në emër të qytetarëve, por ti hapim atyre mundësinë të shprehen, edhe për kuvendin edhe për zgjedhjet vendore, edhe për presidentin, nëse ai e ka dëmtuar interesin e popullit apo ka sfiduar kushtetutën. Gjykimi më i mirë është me votë”, tha Meta./ Opinion.al