Partia Demokratike deri më tani nuk ka ende një deklaratë zyrtare nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit.
Lidhur me zgjedhjet e 13 tetorit ish-deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, teksa flet në emrin e tij personal, është shprehur se detyrimi kushtetues duhet plotësuar nga të gjitha institucionet dhe partitë politike, duke përfshirë edhe PD.
“Respektimi i kësaj date, jo vetëm nga institucionet, por edhe aktorët politikë, përfshirë partitë politike është pjesë e kësaj. Zgjedhjet ndodhin kur respektohet shteti i së drejtës. Të themi atë që thotë OSBE-ODIHR, Zgjedhjet janë për zgjedhësit në radhë të parë, më pas janë edhe për partitë politike”, u shpreh ish deputetit Bylykbashi.
Ndërkohë, lidhur me zërat se aleatët e PD po i bëjnë presion Bashës që të pranojë negociatat edhe me Edi Ramën kryeministër, Bylykbashi tha në intervistën për A2 CNN, se qëllimi i opozitës është garantimi i zgjedhjeve të ndershme.
Sipas ish-deputetit të PD, Rama ka treguar se tallet me marrëveshjet që arrin më plot e tjera politike.
“Unë nuk besoj se është çështje në emër të çfarë bëhet. Qëllimi primar është që shqiptarëve t’iu garantohen zgjedhje të lira e të ndershme. Edi Rama ka treguar nga ana tjetër se është një njeri që tallet me marrëveshjen si koncept. Opozita është e gatshme ta mundë Edi Ramën në të gjitha kuadratet e betejës politike dhe jam i sigurt që forca jonë e mund Edi Ramën kudo qoftë. Nëse do të jetë e drejtë apo jo kjo do t’i mbetet një gjykimi të mëvonshëm. Sigurisht që një grup parlamentarësh, një motor i jashtëzakonshëm politik, por mesa duket, për një pjesë ishte e nevojshme që të kthehej vëmendja tek një kauzë shumë e madhe si zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe për këtë çështje duheshin vendime të forta”,-ish-deputeti Bylykbashi./ Opinion.al E.Xh.