Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, e cila është njëherazi edhe zëdhënëse e qeverisë, gjatë një intervistë televizive tha se mazhoranca është e gatshme t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit opozitës, por jo sipas rregullave te Lulzim Bashës.
“Opozita apo Lulzim Basha mund të dojë edhe një sistem që pakicën e tij në elektorat ta kthejë në shumicë, por një sistem i tillë nuk ekziston. Ne mund të japim garanci vetëm për rregullat e lojës, pjesën tjetër duhet ta bëjë Lulzim Basha. Pra duhet të jetë lider, duhet të ketë një ekip, duhet të ketë një alternativë, duhet të ketë një vizion, duhet të ndalë baltën mbi qeverinë dhe mbi Shqipërinë. Është i pabesueshëm dhe kjo është arsyeja se përse ai i trembet zgjedhjeve, kjo është arsyeja se përse i trembet drejtësisë, kjo është arsyeja se përse i trembet integrimit dhe ne jemi të gatshëm t’i shtrimë dorën e bashkëpunimit për Shqipërinë, për rregullat e lojës, për sistemin ama nuk e vendos Lulzim Basha se kush është kryeministër në këtë vend. Nuk i ndërpret dot ai mandatet qeveritare. Ne besojmë vetëm tek vota dhe asaj i përulemi”, deklaroi Spiropali.
Por a e beson edhe vetë Spiropali se kjo mazhorancë po qeveris mirë? Ajo thotë se shumë gjera do të donte të ishin ndryshe, por i justifikon me faktin se sipas saj është bërë një punë e mirë në shtyllat e qeverisjes.
Më tej Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ju përgjigj edhe akuzave për kapje të sistemit të drejtësisë nga ana e qeverisë.
“Nuk ka lidhje kjo me atë çka ndjen, kjo ka lidhje me faktet dhe ka lidhje me ato që bëhen. A ka vend për përmirësim në qeverisje, sigurisht që ka. Ne do të donim që ekonomia të rritej më shpejt dhe të kishte një vrull më të madh. Do të donim tjetër të kishim më shumë drejtësi në shoqëri, në të gjitha pikëpamjet. Do të donim që policia të kishte më shumë investim dhe të kishim më shumë rend dhe të tjera çështje. Por besoj se është bërë një punë ë mirë mbi shtyllat e qeverisjes. Ligjshmëria ka qenë dhe është thelbi i qeverisjes tonë, ligjshmëria dhe drejtësia që janë të pandara. Për ne drejtësi në sallën e gjyqit apo drejtësi në shoqëri janë të pandara pra politika nuk është se është e shkëputur nga jeta e qytetarit dhe ne po fjalim këtu nëpër epruveta. Ne po flasim këtu për një realitet jetësor. Çështja e drejtësisë nuk është çështje e strukturës së një godine, siç u inaugurua godina e drejtësisë së re, por ka të bëjë më një strukturë të tërë qeverisëse te drejtësisë e cila ka impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve”, deklaroi Spiropali./ Opinion.al