Irani ka njoftuar se po rrit pasurimin e uraniumit përtej kufirit të vendosur në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Ky njoftim vjen një vit pasi presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe vendosi sanksione ndaj Iranit.
Zëdhënësi i Qeverisë iraniane, Ali Rabiei u tha gazetarëve në Teheran se “sot ne do të tejkalojmë” nivelin e lejuar të pasurimit me uranium prej 3,67 për qind.
Ai tha se përqindja e re e pasurimit me uranium “do të bazohet në nevojat tona”, por nuk dha më shumë detaje.
Njoftimi i Qeverisë iraniane vjen vetëm një ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron bisedoi në telefon me homologun e tij iranian, Hassan Rohani dhe tha se ai do të mundohet të gjejë një rrugë për të rikthyer dialogun ndërmjet Iranit dhe partnerëve perëndimorë./ Opinion.al