Mentor Kikia-Opozita kishte shndërruar në simbol të luftës së saj politike përgjimet që tregonin presionet dhe shantazhet për sigurimin e votave në Dibër. Por pas 30 qershorit, një proces zgjedhor, që nuk ndryshoi asnjë në sfondin e krizës politike, ndërsa pritej të shikohej se si dhe me çfarë mjetesh do të vazhdonte protesta, kur rrëzimi i qeverisë përmes presionit apo dhunës kishte rënë, presidenti hap një tjetër front lufte.
Ai i shpall luftë “Ramaformës”. Vërejtjet e Presidentit Meta ndaj mënyrës se si po ngrihen institucionet e reja të drejtësisë mund të jenë të gjitha të drejta. Por përse pikërisht tani? Përse presidenti po denoncon tani ngjarje që kanë nga disa muaj deri në disa vjet që kanë ndodhur?
Prej disa ditësh qendra e luftës opozitare është zhvendosur në presidencë. Por a e kompromenton kauzën dhe krejt lëvizjen e opozitës ky pozicionim i ri i presidentit? Përfshirja e tij në betejën politite është e keqja më e vogël.
Goditja e reformës në drejtësi, u jep të drejtë të gjithë atyre që mendonin deri dje se “revolucioni” opozitar nuk është një përpjekje për të reformuar sistemin politik e zgjedhor, për të rikthyer demokracinë e vjedhur etj, por është një kryengritje kundër drejtësisë së re, nga frika e ndëshkimit. Dhe nuk është cudi që kjo ta zbehë edhe kauzën e vjedhjes së votës.
Opozita bëri gabimin e parë kur deklaroi se do ta zhbënte reformën në drejtësi, për të bërë reformimin real të saj. Dhe për këtë fitoi të gjithë kundërshtinë e mundëshme të ndërkombëtarëve, veçanërisht SHBA-ve.
Tashmë është presidenti që i hedh ujë zjarrit të opozitës. A nuk do të ishte më mirë që presidenti “Ramadrejtësinë” ta luftonte, psh, duke tundur dosjen e pahetuar të përgjimeve të Dibrës?