Ora 19:00 shënoi përfundimin e procesit të votimit për 61 bashkitë në të gjithë vendin. Procesi që prej mëngjesit ka qenë i qetë, me disa incidente të vogla, ndërkohë që edhe pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë tepër ulët.
Nga bashkia e Kavajës erdhi raportimi i parë për mbylljen e qendrave të votimit rreth 15 minuta përpara orarit zyrtar. Bëhet fjalë për qendrën e votimit në Bukaq fshat në zonën administrative të Synej nga ku 100 votues 57 janë regjistruar.
“Kam 5 orë që po rri aty nuk ka votues, morëm vendim e mbyllëm 15 minuta para”, tha kreu i kësaj qendre votimi.
Ndërkohë në Sarandë procesi i votimit është shtyrë me 30 minuta. Kjo ka sjellë dhe reagimin e kryetarit të KQZ-së që sipas tij kjo është e jashtëligjshme.
Zyrtarë të Partisë Demokratike e kanë konsideruar procesin e sotëm si të dështuar dhe flasin për një pjesëmarrje shumë më të ulët se nga ajo që raporton KQZ, e cila është vënë në dyshim edhe nga vetë kryetari i këtij institucioni, Klement Zguri. Nga Partia Socialiste nuk ka patur deri më tani asnjë reagim zyrtar për procesin.
Janë mbi 3.5 milion shqiptarë të cilët figurojnë në listat e zgjedhësve. Në të gjithë vendin janë 5417 qendra votimi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi gjatë ditës se qendrat e votimit ishin hapur në të gjithë vendin, duke përjashtuar 7 Qendra Votimi në Postrribë të qarkut Shkodër./ Opinion.al