Përplasja e djeshme jashtë ambienteve të shkollës “Shejnaz Juka” në Shkodër që kulmoi me djegien e disa ambienteve për të shkatërruar materialet zgjedhore, ka sjellë edhe reagimin e Ministres së Arsimit, Besa Shahini. Ajo ka vendosur të shtyjë ditën e fundit të mësimit pasi thotë se është e shqetësuar se kjo ngjarje mund të përsëritet dhe të vërë në rrezik nxënësit.
Ministrja e ka cilësuar ngjarjen si sulm të Partisë Demokratike ndaj shkollave dhe se shqetësohet pasi këtë gjë ata kanë paralajmëruar se do ta bëjnë përsëri sipas saj.
“Dita e fundit e mësimit është ditë e gëzueshme për nxënësit, të cilët kanë mbyllur mësimet, përshëndeten me shoqet e shokët dhe fillojnë pushimet. Por dhuna e ushtruar nga PD dje në shkollat e Shkodrës dhe paralajmërimi për të tjera shkolla sot, na bëri të shtyjmë këtë ditë të dashur për nxënësit në këto shkolla”, deklaron Shahini.
Ajo i bën thirrje partive opozitare në fund se pushteti nuk merret me dhunë.
“Më vjen keq që partitë e pashpresa, në sajë të dëshpërimit të tyre elektoral, po dhunojnë gjithçka që u del përpara! Por me dhunë nuk merret pushteti dhe këtë fakt shpresoj ta kuptojnë sa më parë”, thotë Shahini.
Në Shkodër dhe në Tropojë janë arrestuar disa persona që tentuan të merrnin në kontroll KZAZ-të. Këto të fundit sipas tyre tashmë nuk mund të ushtrojnë më funksionin e tyre pasi presidenti ka anulluar datën e zgjedhjeve dhe vendimi i tij është shpallur në fletoren zyrtare. /Opinion.al