Ivica Daçiç deklaroi se puna e tij është që të sigurojë se asnjë vend tjetër të mos e njohë Kosovën.
Kreu i diplomacisë serbe e bëri këtë deklaratë për Radio-Televizionin e Serbisë.
“Do të shkoj kudo sepse kjo është puna imë” tha Dacçiç.
Sipas Ministrit të Jashtëm Serb, politika e jashtme e Serbisë ka qenë e suksesshme në lidhje me këtë çështje duke bindur disa shtete që ta tërheqin njohjen. Megjithatë ai shtoi se kjo gjë nuk shihet me sy të mirë nga disa vende perëndimore.
Daçiç foli edhe për vizitën e tij të fundit në Afrikë. Sipas tij kjo ishte një vizitë e suksesshme pasi ka biseduar me shtatë vende në lidhje me çështjen e Kosovës. Për të Afrika është e rëndësishme pasi ka 53 anëtarë në OKB.
Për Daçiç, integrimi i Serbisë në BE është shumë i rëndësishëm por nga ana tjetër integriteti territorial i Beogradit duhet ruajtur pasi përbën një interes strategjik thelbësor për shtetin.
Sipas të dhënave zyrtare, pavarësia e Kosovës është njohur nga 116 vende të botës.
Në mesin e tyre janë edhe 13 shtete, për të cilat autoritetet e Serbisë pretendojnë se e kanë tërhequr njohjen. /Opinion.al