Sulmohet banesa e ambasadorit amerikan në Athinë. Sipas mediave helene sulmi me bojë të zezë tymuese është bërë nga organizata anarkiste “Rubikon”, pas mosdhënies së një lejeje të posaçme për ekzekutorin e organizatës terroriste “17 Nëntori”, Dimitris Kufodinas.
Sipas organizatës, anëtarë të saj mundën të thyejnë kordonin e sigurisë dhe, pasi hodhën parulla dhe lyen me bojë të zezë muret e banesës së ambasadorit, mundën të largohen pa u shqetësuar.
Madje, vet organizata publikoi një video të operacionit të kryer prej anëtarëve të saj rreth orës 4 të mëngjesit. Qeveria greke dënoi aktin e paprecedentë dhe premtoi dërgimin e anëtarëve të organizatës përpara drejtësisë.
Refuzimi i lejes disaditore për të dalë nga burgu për Dimitris Kufodinas ka sjellë reagime të ashpra në radhët e anarkistëve dhe militantëve të majtë grekë, të cilët thonë se Kufodinas i janë shkelur të drejtat.
Kufodinas është dënuar me 12 burgime të përjetshme për 12 vrasje të kryera prej organizatës famëkeqe terroriste, aktiviteti i së cilës përfundoi në vitin 2003.
PËR TË PARË VIDEON KLIKONI KËTU