Gjatë fjalës së tij në kuadër të Javës së Europës, kryeministri Edi Rama iu drejtua drejtpërdrejtë ambasadorëve të huaj në vendin tonë. Rama u kërkoi atyre që të bënin çfarë kishin mundësi, që loja me negociatat të mos kthehet në lojë me zjarrin, duke shtuar se rruga e vetme e Shqipërisë është Europa.
“Të gjithë ambasadorëve dua t’iu them se për ne nuk ka rrugë tjetër, është e vetmja rrugë dhe pavarësisht se çfarë ndiejmë ne kur duhet të kalojmë detin me këmbë, për shkak se ka një problem këtu e një problem andej, ajo që dimë është se kjo është e vetmja rrugë dhe do vazhdojmë të këmbëngulim në këtë rrugë. Ju lutem, bëni atë që mundemi që të mos lejoni që loja me negociatat të kthehet në lojë me zjarrin këtu në vendin tonë. Këtë shqiptarët nuk e meritojnë. Duhet ta nxirrni procesin e negociatave nga loja politike, duke i hapur negociatat dhe duke e bërë të pamundur që njëra palë apo tjetra ta shfrytëzojë”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri Edi Rama tha sot se Shqipëria i ka bërë “detyrat e shtëpisë”, duke u shprehur i bindur se këtë vit do të çelen negociatat./Opinion.al