Flakët që përfshinë shtëpinë e familjes Ndoj në Pukë, ishin fatale për çiftin e bashkëshortëve Petrit dhe Dava Ndoji, përkatësisht 35 dhe 40 vjeç. Fatmirësisht katër fëmijët dhe gjyshërit e moshuar shpëtuan për mrekulli.
Pal Gjoni për “News 24” ka treguar tmerrin që ka parë me sytë e tij. Ai shprehet se ka thirrur djalin për të shpëtuar gruan e paralizuar, por kjo thirrje nuk u dëgjua asnjëherë pasi ai së bashku me bashkëshorten ndërruan jetë duke lënë pas katër fëmijë jetimë.
“Kam dëgjuar tjegullat që kërcisnin kur me doli gjumi. Jam zgjuar shpejt, kisha hallin e fëmijëve. I kam thirrur djalit qe të nxirrte gruan që e kam të paralizuar. Ai nuk mu përgjigj kurrë më. U gëzova kur pashë që fëmijët ishin në oborr. Ajo që më ndodhi mua, mos i ndodhtë askujt”, tha i moshuari.
Çifti i të moshuarve është strehuar në një shtëpi tek të afërmit në fshat, ndërsa katër fëmijët pas mjekimit janë dërguar tek të afërmit e nënës së tyre. Kryetari i Bashkisë Gjon Gjonaj ka premtuar se do ta ndërtojnë shumë shpejt shtëpinë, duke ndihmuar edhe fëmijët./Opinion.al