Partitë politike duket se kanë probleme me deklarimin e saktë të të dhënave pranë Gjykatës së Tiranës, pasi të paktën 62 prej tyre nuk ka qenë e mundur të kontaktohen nga ekspertët kontabël të caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të audituar pasqyrat financiare.
KQZ, në raportin vjetor të vitit të shkuar, nënvizon se në total ishin 113 parti të cilat duhet të kalonin në sitën e ekspertëve që u caktuan me short, shkruan “Monitor”.
“62 parti politike, nuk u arritën të kontaktoheshin nga ekspertët kontabël, për shkak të pasaktësisë së adresave të deklaruara nga këto parti politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Për 21 parti politike, ka deklaratë të kryetarit të partisë ose të autorizuarit të tij se partia nuk ka përfituar dhe shpenzuar fonde për vitin 2017. Për 30 parti politike, ekspertët kontabël kanë paraqitur një raport të rregullt auditimi, për të gjitha këto parti politike, eksperti nuk ka vërejtje për mënyrën e përgatitjes së pasqyrave financiare”, vlerëson Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Synimi i auditimit të partive lidhet me fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për vitin kalendarik 2017, gjatë të cilit u zhvilluan edhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
KQZ bëri të ditur se për vitin kalendarik 2017, nga 128 parti politike të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës kanë dorëzuar raportet financiare vjetore në KQZ, vetëm 44 parti politike./Opinion.al