Willi Mckay, agjenti i ish-futbollistit Emiliano Sala ka ringjallur shumë diskutime, pasi në një intervistë për BBC-në ndezi edhe më shumë polemikat për vdekjen e futbollistit. Agjenti ka kritikuar ashpër skuadrën e Cardiff Cityt për neglizhencën e treguar gjatë transferimit të ish-futbollistit.
“Blenë një sulmues për 17 milionë paund dhe e braktisën në hotel, duke e detyruar të gjente vet fluturimin”, tha agjenti, i cili organizoi vetë tranferimin e Salasë me avionin”Piper”.
Gjithsesi fjalët e tij u përgënjeshtruan shpejt, madje me fakte, pasi një seri bisedash në rrjetin social “Whatssapp” mes futbollistit Emiliano Sala dhe oficerit të komunikimit të Cardiff Cityt u bënë publike nga skuadra uellsiane. Duket se vetë Emiliano Sala kishte refuzuar ofertën për një fluturim normal, duke preferuar avionin e vogël privat.
Gjithsesi siç është deklaruar dhe nga UEFA, një hetim përfundimtar do të publikohet brenda vitit për vdekjen e lojtarit.
Kujtojmë se Emiliano Sala ishte duke udhëtuar me një avion të vogël drejt Uellsit, për t’iu bashkuar skuadrës së tij të re Cardiffit. Por sulmuesi nuk arriti kurrë në destinacion, pasi avioni me të cilin ai po udhëtonte, u zhduk dhe pas kërkimesh të shumta, u gjet në kanalin e La Manshit, bashkë me trupin e Salas. Ende nuk ka të dhëna për trupin e pilotit të avionit, i cili nuk u gjet nga grupet e kërkimit./E.M