Nesër shënohen 8 vite nga ngjarja e rëndë e 21 Janarit, ku 4 vetë të thirrur në protestë nga PS-ja u vranë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Familjarët ende presin të bëhet drejtësi, pra të dënohen fajtorët.
Top Channel ka qenë në fshatin Zenelaj, vendlindja e njërit prej të vrarëve të 21 Janarit, Ziver Veizit. Të afërmit e Ziver Veizit thonë se mbeten në pritje të drejtësisë për vëllanë e tyre, që deri tani nuk ka ndodhur. Trëndafilja, e motra, komenton edhe rreth statusit të dëshmorit që pritet të përfitojnë 4 të vrarët në 21 janar, ndërsa detajet do të mësohen të hënën në ceremoninë e përvitshme në Tiranë.
“Drejtësia nuk ka shkuar në vend akoma. Edhe tani presim drejtësinë e re. Dënimi i vrasësve do të na lehtësonte”, thotë motra për TCh.
Ndërsa vëllai Çaush Veizi thotë: “Statusi i dëshmorit mund të jetë diçka, por jo zgjidhje për drejtësinë”.
Ziver Veizi është njëri prej 4 të vrarëve më 21 Janar të vitit 2011. Bashkë me të humbën jetën dhe Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.