Kryeministrja britanike, Theresa May nuk arriti të merrte votat e nevojshme në Parlament për të nisur procedurën e daljes nga Bashkimi Europian sipas marrëveshjes që qeveria e saj ka përgatitur me unionin.
Votimi i djeshëm vjen pas një kaosi në qeverinë dhe Parlamentin britanik. Marrëveshja e qeverisë May me BE-në ka prodhuar dorëheqje në kabinetin qeveritar, por edhe një mocion mosbesimi ndaj May, së cilit kjo e fundit arriti ti mbijetojë.
Në këtë situatë, qeveria britanike është përgatitur edhe për skenarin më të keq. Atë të daljes nga BE pa një marrëveshje. Prej kohësh është hapur një debat në Britaninë e Madhe: Më mirë me një marrëveshje ku Britania dobëson pozitat e saj ndaj BE, apo pa marrëveshje fare?
Çfarë do të thotë një dalje nga BE pa marrëveshje?
Dalja e Britanisë nga unioni pa marrëveshje do të thotë se konsumatorët, bizneset dhe organet publike do të duhet t’u përgjigjen menjëherë ndryshimeve, dhe jo në një periudhë tranzitore prej 21 muajsh siç është parashikuar.
Sipas Dr. Simon Usheruud, ekspert politik në Universitetin e Surreyt, situata në Britaninë e Madhe do të ishte e paqartë nëse ajo nuk do të arrinte një ujdi me Bashkimin Europian.
Sipas Usheruud, as BE dhe as Britania e Madhe nuk janë në favor të një ndarjeje të tillë.
Çfarë mund të ndodhë nëse nuk arrihet marrëveshja?
Tregtia
Për tregtinë, Mbretëria e Bashkuar do ti kthehej rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë. Meqënëse Britania nuk do të ishte më e lidhur me rregullat e BE, ajo do të duhej të ballafaqohej me tarifat e jashtme të unionit. Çmimi i mallrave në dyqane për britanikët do të rritej pasi bizneset do të duhej të vendosnin tarifa për mallrat e importuara nga vendet e BE.
Disa nga prodhimet dhe produktet britanike mund të refuzohen nga vendet e BE-së për mungesë autorizimi apo çertifikimi.
Industritë e prodhimit mund të zhvendoseshin në vendet e BE-së për të shmangur vonesat që do të krijoheshin në kufi.
Njerëzit
Mbretëria e Bashkuar do të ishte e lirë të vendoste kontrollet e veta mbi emigracionin nga shtetasit e BE dhe blloku mund të bënte të njëjtën gjë për britanikët.
Mund të ketë vonesa të gjata në kufi, nëse kontrollet e pasaportave dhe doganave rriten. Fati i të riatdhesuarve, (ka 1.3 milionë britanikë në vendet e BE dhe 3.7 milionë europianë në Britani) sa i përket të drejtave të tyre për të jetuar dhe punuar do të ishte e paqartë.
Profesionistë britanikë që punojnë në BE mund të shkarkohen pasi kualifikimit e tyre nuk mund të njihen.
Mund të ketë vonesa në fluturime midis Britanisë dhe BE-së pasi konfirmimet e nevojshme për sigurinë mund të duan kohë të adaptohen.
Ligjet
Ligjet specifike të BE-së do të hiqeshin nga libri i ligjeve britanik. Vendi nuk do të duhej ti përmbahej vendimeve të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, por do të qëndronte e lidhur me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Paratë
Qeveria nuk do të duhej të paguante kontributin vjetor prej 13 miliardë dollarësh në buxhetin e BE-së. Megjithatë, Britania do të humbiste nga disa subvencione të BE-së – Politika e Përbashkët Bujqësore u jep fermerëve britanikë 3 miliardë paund.
Kufiri irlandez
Çështja e kufirit midis Irlandës së Veriut dhe Republikës do të mbetej e pazgjidhur. Ndërsa për infrastrukturën fizike është vënë veto, kufiri do të bëhet një kufizim i jashtëm për BE-në në rast të një Brexit-i pa asnjë marrëveshje. Do të ketë presion për të zbatuar kontrollet doganore dhe të imigracionit./iNews/Lapsi.al