Admir Delaj 44 vjeç nga Selenica ka dalë dje para gjykatës së Vlorës. Ai ka pranuar krimin e rëndë të vrasjes së Fatmir Hodos, që ishte kreu i Njësisë Administrative Kote, përfaqësues i PD.
Admir Delaj akuzohet për veprën penale “Vrasje me dashje”, por nuk është ngritur akuzë për armëmbajtje pa leje, pasi ka rezultuar se armët e gjahut të sekuestruara kanë qenë me leje. Pasi është dëgjuar prokurori dhe avokati mbrojtës, gjyqtari vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për 44-vjeçarin.
Në seancën e djeshme, Admir Delaj ka shfaqur pendesë të thellë për ngjarjen e ndodhur. “Kam qenë në gjendje të dehur. Jam penduar për atë që kam bërë. Gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit që kemi pasur me njëri-tjetrin. Jam shumë i penduar”, është shprehur autori.
44-vjeçari ka pranuar të bashkëpunojë me Policinë dhe Prokurorinë, duke rrëfyer para tyre të gjithë rrethanat e ngjarjes.
Ai është shprehur se gjithçka ka ardhur për shkak të një konflikti të çastit me 64-vjeçarin Famitr Hodo, i cili mbante dhe detyrën e kreut të Njësisë Administrative Kotë në Bashkinë e Selenicës. Nga ana tjetër, Delaj ka pranuar se gjakrat janë nxehur dhe për shkak të debatit politik që kanë pasur. 44-vjeçari, i njohur si simpatizant i PS-së, mësohet se ka debatuar me përfaqësuesin e PD-së në Bashkinë Selenicë për faktin se përse fshati Gumenicë, ku ai jeton, nuk është përfshirë në projektin e qeverisë “100 fshatrat”.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e premte (9 Nëntor) rreth orës 14:55 në një lokal në fshatin Kotë, bashkia Selenicë.