Mbrëmjen e së mërkurës, në Mulhouse të Francës u raportua për vrasjen e një shqiptari i cili mësohet se ishte qëlluar me pushkë nga një fqinj i tij.
Ngjarja ndodhi në një ndërtesë të vogël banimi në rrugën ”Rue des Juifs”, në lagjen Dornach.
Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se i vrari është S. N. nga Gjakova dhe ka jetuar që 19 vjet në Francë, derisa autori i krimit është një algjerian, i cili ndodhet ende në arrati, derisa për policinë franceze është i njohur.
S. N. ka lënë pas tij gruan, dy djem të moshës 6 dhe 4-vjeçare, si dhe një vajzë 2-vjeçare. Ai ishte larguar gjatë luftës nga Kosova, derisa ishte me profesion ujësjellës dhe ka ndihmuar shumë shqiptarë për të gjetur punë dhe për t’u integruar.
Fqinjët dhe familjarët për albinfo.ch tregojnë se ai ishte një patriot i madh. Algjeriani e ka qëlluar në gjoks dhe shqiptari nuk ka arritur t’iu shpëtojë plagëve.
Autori e kishte qëlluar me tre plumba në sy të familjes, gruas dhe fëmijëve. Menjëherë pas ngjarjes është lajmëruar ambulanca të cilin e ka dërguar në spital.
Mjekët në Mulhouse i hoqën dy plumba nga trupi, ndërsa plumbi i tretë i kishte prekur zemrën, gjë që ka bërë që të mos i mbijetojë plagëve të marra.
Autoritetet franceze kanë bastisur shtëpinë e vrasësit, duke gjetur armë e pasaporta të ndryshme.
Gjithashtu sipas një të afërmi të tij, ai ishte ankuar disa herë në polici për fqinjin e tij, por asnjëherë kërkesa e tij nuk ishte marrë seriozisht.