I ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, Kryeministri Rama ka theksuar sërish rëndësinë e reformës në drejtësi, meritat e së cilës nuk ka ngurruar t’ja atribuojë vetvetes. Por ndoshta nsdër të paktat herë Rama ka përmendur se mund të ketë edhe njerëz nga pala e tyre që duhet të përgjigjen për gjëra të dyshuara.
Balla: Sa mendoni se do rrijë në atë zyrë zonja Arta Marku?
Rama: Kjo është një pyetje që s’mund ti përgjigjem as 1 muaj as 2 muaj, s’bëhet fjalë për vite, por mund të them që reforma në drejtësi, hetimet për zullume të mëdha të pahetuara apo të mbyllura në mënyra të paimagjinueshme do të ndodhin dhe nuk i ndalon dot askush dhe besoj që përtej se cfarë thonë llafet, flasin për një gjë, kjo reformë pa PS dhe pa mua në krye të PS nuk do kishte ndodhur. Këtë reformë e ka garantuar dhe do e garantojë deri në fund PS, pavarësisht faktit se në procesin e jetësimit, hetimeve e gjykimeve mund të ketë edhe njerëz nga pala jonë që do duhet të përgjigjen për gjëra të dyshuara apo të ndodhura, se ne jemi ndryshe dhe te reforma në drejtësi ne kemi vënë një bast shumë të madh, bastin për të rilindur Shqipërinë.
Balla: Cfarë dini ju që ne nuk e dime por e dinë ata?
Rama: Unë e di që këtu do paguajnë politikanët se koha është e tillë që nuk e lejon më inercinë e këtyre viteve, se të gjithe jemi zullumqarë, jo mo jo, nuk jemi të gjithë, këtu do ndahet kush është për njerëzit dhe kush është për atë pjesë të izoluar të njerëzve që duhet të paguajnë.