Shkenca mund të na ketë bekuar me dhurata si mjekësia, fluturimi e interneti, por shpesh ka sjellë edhe lajme të këqija…
Një shkencëtar mendon se duhet të pranojmë faktin se nuk ekziston një jetë pas vdekjes dhe të vazhdojmë përpara me jetën tonë e ta shijojmë sa mundemi.
Siç shkruan e përditshmja “The Independent“, Sean Carroll, kozmologjist dhe profesor fizike në Institutin Kalifornian të Teknologjisë thotë se ligjet e fizikës që përkufizojnë jetën e përditshme janë tërësisht të qarta dhe nuk lenë vend për aludime.
Sipas tij, për të pasur një jetë të përtejme, ndërgjegjja do të duhet të ishte e shkëputur tërësisht nga trupi.
Por në vend të një shpirti të përjetshëm, ndërgjegjja është e ndërtuar nga një seri atomesh dhe elektronesh.
“Pretendimet se disa forma ndërgjegjeje vijojnë pasi trupi jonë vdes dhe vijojnë të jetojnë në atome, përballen me një pengesë të madhe dhe të pa kapërcyeshme”, thotë Carroll.
“Ligjet e fizikës sa i përket jetës së përditshme janë tepër të qarta. Nuk ka mënyrë që këto ligje të lejojnë hapësirë që pas vdekjes tonë truri të mund të ruajë informacion”, sqaron ai më tej.
Deklaratat e ekspertit vijnë në një kohë kur studime të tjera dhe shkencëtarë të ndryshëm pretendojnë se pas vdekjes truri i njeriut vijon të jetojë, të paktën disa sekonda pasi zemra ka pushuar./tvklan.al