Autoritetet në Durrës kanë arrestuar një italian në kërkim ndërkombëtar, i dënuar në Spanjë për akuzën e vrasjes.
Ai është Giuliano Velo, 58 vjeç, lindur dhe banues në Itali.
Në një njoftim për mediat nga policia e Durrësit, thuhet se Velo më datë 27 Shtator është kapur pasi ka tentuar të kalojë kufirin në drejtim të Italisë me pasaportë dhe kartë identiteti sllovene të dyshuara se janë false.
“Nga hetimet e mëtejshme të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u evidentua se për shtetasin e mësipërm është lëshuar Urdhër Arresti nga Interpol Madrid Spanjë duke e shpallur në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në një njoftim të policisë.
Më tej, policia sqaron se “Gjykata Themelore e Lorca (Murica)/ Spanjë ka lëshuar Urdhrin e Arrestit Nr. PA 640/2017, datë 29.09.2017, për kryerjen e veprës penale “Vrasja” parashikuar në nenin 138, 139,140 të Kodit Penal Spanjoll. Maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është 25 vjet burg.
G.VELO dyshohet se më datë 09.06.2017 rreth orës 21:30 me orën lokale, në vendin e quajtur ” Paraje CHARCON” të qytetit Aguilas/ Spanjë ka vrarë me armë zjarri një shtetas italian”./tvklan.al