Këto janë pasojat e një shpërthimi të ndodhur mëngjesin e të shtunës, nga rrjedhja e gazit nga një bombël gatimi në këtë lokal në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në kryeqytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 4:20 minuta. Bombolat ishin vendosur në kuzhinën e lokalit, ku besohet se ka pasur një defekt në pajisjet e gatimit.
Nga shpërthimi u dëmtua i gjithë lokali, duke shkatërruar madje edhe muret e jashtme të katit të parë të pallatit ku është vendosur ku ambient. Shpërthimi ka prekur edhe rrjetin e energjisë elektrike të pallatit dhe aktualisht ende nuk ka energji në pallat.
Shpërthimi shkaktoi frikë dhe panik tek banorët të cilët u detyruan të qëndronin në banesat e tyre dhe ata që ndodheshin më pranë të largoheshin. Policia dhe shërbimet zjarrfikëse që mbërritën në vendin e ngjarjes, pas më tepër se një ore mundën të ndërhyjnë për të shuar flakët.
Burime të policisë thanë se banorët herë pas here janë ankuar për aromën e rëndë të gazit dhe të ushqimeve që gatuheshin në këtë lokal. Policia ka shoqëruar në ambientet e saj pronarin e lokalit për të marrë deklarime, ndërsa policia ka nisur hetimet për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.