Pak pas nisjes së fushatës elektorale por veçanërisht pas arritjes së marrëveshjes së 18 Majit me Lulzim Bashën, kryeministri Edi Rama la të kuptohej se ministrat socialistë të shkarkuar nga qeveria për t’u angazhuar në fushatë apo për t’iu lënë vendin atyre “teknikë” do riktheheshin në detyrë.
Por i ftuar sot në “Top Story”, Rama nuk preferoi të jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë sa i përket shanseve për të rikthyer në qeveri ish-ministrat, Fatmir Xhafaj, Olta Xhaçka, Ogerta Manastirliu apo edhe Saimir Tahiri.
Do të ketë rikthime në kabinet të ministrave që u larguan gjatë këtij viti, përfshirë edhe ata të marsit?
Nuk flas do me emra sepse nuk jemi në atë fazë. Ne kemi ngritur disa grupe dhe unë po merrem me platformën e bashkëqeverisjes që do të jetë e hapur për qytetarët përmes teknologjisë. Një grup tjetër po punon për reformën strukturore.