Lulzim Basha më datën 23 korrik të vitit 2013 hyri në selinë e PD-së si kreu i ri i demokratëve. Një muaj pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare katër vite më parë, PD-ja zgjodhi pasardhësin e Sali Berishës përmes votimit “një anëtar, një votë”. Lulzim Basha përballë të ndjerit Sokol Olldashi fitoi 80.39% të votave.
Por, më 23 korrik, Bashës i përfundon mandati dhe ende nuk dihet nëse PD-ja për shkak të situatës së vështirë politike do të jetë në gjendje të realizojë zgjedhjet e reja për kreun e ri të PD-së. Duket paksa e vështirë që zgjedhjet të realizohen brenda afatit që lejon statuti i partisë, duke marrë shkas nga fakti që opozita kërkon me këmbëngulje shtyrjen e zgjedhjeve të 18 qershorit.
Zgjedhjet parlamentare u paraprijnë atyre në PD dhe gjasat janë që ato të shtyhen për shkak të situatës së tensionuar në vend, por burime brenda PD-së bëjnë me dije për “Gazeta Shqiptare” se edhe nëse ato zhvillohen më 23 korrik, Lulzim Basha do të zgjidhet sërish kryetar i PD-së.
Katër vite më parë KQZ-ja e PD-së, e ngritur enkas për numërimin e votave nxori Bashën fitues me 32 371 vota, ndërsa Olldashi mori 7 896 vota. 105 mijë anëtarë të PD-së me kartën dixhitale në dorë, shoqëruar me pasaportë biometrike apo kartë identiteti iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur mes Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit kryetarin e tyre të ri.