Unioni i Transmetuesve Evropianë (EBU) mund t’ia marrë Ukrainës të drejtën e Eurovisionit 2017, në qoftë se deri në fund të javës së ardhshme, ajo nuk zgjidh situatën me përfaqësuesen e Rusisë, tha presidentja e EBU-së, Ingrid Deltenre.
“Një sjellje e tillë është absolutisht e papranueshme. Më vjen shumë keq, sepse Eurovisioni është përdorur për lojëra politike”, ka thënë Deltenre në një intervistë me gazetën zvicerane “Blick”.
Prej disa kohësh është bërë i ditur qëndrimi i autoriteteve ukrainase se nuk do të lejojnë hyrjen e delegacionit përfaqësues të Rusisë. Kjo e fundit nga ana e saj ka kërcënuar me bojkotim të kompeticionit të këngës.