Zyra elektorale e Partisë Socialiste në qytetin e Delvinës është dhunuar dje nga persona të paidentifikuar, të cilët kanë thyer xhamat.
Qyteza e qetë e Delvinës, e pa mësuar me akte të tilla vandalizmi, është zgjuar sot në mëngjes me këtë pamje të shëmtuar.
Zyrtarët e PS-së lokale kanë denoncuar ngjarjen në polici. Forcat e rendit kanë regjistruar çështjen dhe kanë nisur hetimet e para në vendin e ngjarjes.
Burime nga Policia e Delvinës u shprehën se, bazuar në dëshmitë dhe provat nga vendi i ngjarjes, sulmi mendohet të ketë ndodhur rreth orës 01.30 në të gdhirë të ditës së sotme (e diel).
Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar disa herë me gurë dhe sende të forta xhamat e zyrës elektorale duke arritur të thyejnë njërin prej tyre. Policia ende nuk ka një të dyshuar konkret për këtë akt dhune, shkruan TCH.
Partia Socialiste e Delvinës ka dënuar me forcë ngjarjen dhe ka bërë thirrje për qetësi pasi akte të tilla vandalizmi nuk i shërbejnë as klimës parazgjedhore dhe as banorëve të Delvinës, të cilët shquhen për qytetari dhe tolerancë.